Rama: Kush organizon bixhoz, vë zjarre dhe bllokon rrugë do shkojë në burg

2 Prill 2019, 15:08

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet në lidhje me një sërë veprash penale, që edhe pse të konsideruera të tilla edhe në ligjet aktuale, nuk janë zbatuar.

Nga Librazhdi, gjatë turit "Bashkia që Duam" në Librazhd, kreu i qeverisë paralajmëroi burg për këdo që organizon në lokale lojërat e fatit online. Qeveria shqiptare ka nisur tanimë një aksion për mbylljen e lojërave të fatit, dhe shumë persona të cilët kanë shkelur ligjin duke mos mbyllur lojërat e fatit, janë arrestuar, por pa marrë ndëshkimin e duhur.  

Do të merren të gjitha masat për të rënduar dënimet për lokalet që praktikojnë ende lojërat online tha Rama.

"E di që fillon akoma online dhe ka ardhur koha për masa të reja. Kush organizon bixhoz për të tjerët do të shkojë në burg", tha kreu i qeverisë.

Ndëshkime të ashpra do të ketë edhe për krimet mjedisore. Ndezja e zjarreve që së fundi po bëhet problem me vatra që shpesh janë të qëllimshme, do të ndëshkohet me sanksione të reja.

Po ashtu, një tjetër ndryshim që Rama paralajmëroi, ishte ai për bllokimin e rrugëve. Do të ketë ndëshkime për të gjithë ata që për arsye të ndryshme bllokojnë rrugën. Një situatë e ngjashme po ndodh me banorët e zonës së "Astirit" të cilët protestojnë prej muajsh, në mbrojtje të shtëpive të tyre kundër projektit të Unazës së Madhe, dhe që për një orë bllokojnë çdo ditë rrugën në zonën e Unazës së Re. Aktualisht ka një ligj që e ndalon bllokimin e rrugëve, por Rama theksoi se ndëshkimi  për këtë kundravajtje penale - do të bëhet më i qartë.

"Kuvendi do miratojë ligje për të ndëshkuar ata që organizojnë lojëra bixhozi, ata që ndezin zjarre, ata që bllokojnë rrugë, ata që godasin përfaqësuesit e popullit. Ky parlament sot është shumë më normal dhe i pa shqetësueshëm sepse nuk vijnë deputetët me vezë dhe bojë. Pse çfarë është opozita , kotec fermë pulash. Erdhi kryetari në kuvend me pallto, unë thashë është sëmurë, ai ishte me vezë. Ata u kujtuan vonë që të ikin, në rrugë të rrinë. Unë nuk dua që kushdo nga ata që na ka dhënë mbështetje të mendojë se unë jam i kënaqur. Ka plot gjëra që nuk janë bërë akoma dhe janë në mes të rrugës. Ne nuk i lëmë gjërat në mes të rrugës si ata", tha Rama.

Nuk do të lihen jashtë kësaj pakete të re ligjore, edhe të dënuarit. Pa qartësuar se për çfarë bëhej fjalë konkretisht, shefi i mazhorancës tha se do të shihen me kujdes shkeljet që deri dje ndodhnin si pazare mes prokurorit dhe gjyqtarit.