Rama: Kuvendi do votojë Kodin e Ri zgjedhor pa pritur 'Venecian'! Rekomandimet që do japin i aplikojmë pas 25 prillit

27 Tetor 2020, 14:11 | Përditesimi i fundit: 2020-10-27 19:11:29

TIRANË- Teksa Komisioni i Ligjeve nisi diskutimin për dekretin e Metës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Presidenti iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për të marrë parasysh fillimisht opinionin e Komisionit të Venecias. Por kjo kërkesë e Ilir Metës nuk u mor në konsideratë nga Komisioni i Ligjeve i cili me 15 vota kundër dhe 2 pro rrëzoi dekretin e Presidentit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. "Argumentet e Ilir Metës nuk kanë bazë kushtetuese", tha Shameti.Të vetmit që kërkuan të pritej për opinionin e Komisionit të Venecias ishin dy deputetë të opozitës në Kuvend, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi. Një kërkesë e ripërsëritur për kuvendin erdhi dhe nga Komisioneri për Zgjerim i BE Oliver Varhelyi. “I kënaqur që Rama pret opinionin e Venecias për ndryshimet kushtetuese. Do ishte e matur të pritej opinioni para se të rivotohej në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”. Por kryeministri Rama duket i palëkundur në vendimin për të miratuar Kodin Zgjedhor pa asnjë ndryshim. Këtë e vërtetoi kur tha se nuk ka kohë për të humbur me asnjë aventurë të Ilir Metës. "Unë e kam sqaruar dhe komisionerin, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë dhe nuk ka asnjë mundësi që të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Meta që nuk do të përmirësojë Kodin por të sabotojë këtë proces. komisioni i Venecias është i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet, ai do të diskutohet dhe do të mbetet për të adresuar çdo lloj çështje që të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur, se strukturat e reja kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë ligjin zgjedhor dhe kjo kërkon kohën e vet. Madje është marrë një angazhim për identifikimin biometrik, koha është e pamundur. Meta lider absolut i një opozite të copëtuar dhe lider i një partie të degraduar", tha Rama.