Kryetari i PS-së, Edi Rama në mbledhjen e sotme të asamblesë kombëtare ka bërë 8 ndryshime në parti. Ai njoftoi ndryshimin e drejtuesve të qarqeve të Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës.
Kështu në vendin e Ditmir Bushatit në Shkodër do të jetë kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë në vendin e Lindita Nikollës shkon Sandër Lleshaj që bëhet pjesë e strukturave të PS-së dhe në Tiranë në vendin e Blerina Gjylametit do të jenë Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati.
Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj që merr drejtimin e sekretariatit të rinisë, ndërsa vend kishte edhe për të spostuarit në qarqe si koordinator.
"Jam gati të propozoj disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve. Në Shkodër qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i bashkisë (Valdrin Pjetri). Në Tiranë për më shumë rezultat do ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Përsa i përket sekretariatit, kemi rënë dakord që të bëjmë disa ndryshime të nevojshme.
Së pari kemi menduar të kemi një sekretar që të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe rezultatet që dalin dhe nevoja për t'u adresuar nga qeveria apo institucionet e tjera. Për këtë ngarkojmë Ilir Beqjan që të bëjë këtë punë.
Sekretare e Burimeve Njerëzor do të jetë Nikolla. Ne vazhdojmë me regjistra të vdekur që mirë që janë me boshllëqe, por nuk i shërbejnë askujt. Këtë detyrë do ia ngarkojë Lindita Nikollit, i bindur që do të bëjë më të mirë. Ka qenë një çështje shqetësuese e Partisë Online.
Duke qenë i pari politikan që kam bërë "ciu-ciu" më takon që të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë dhe prandaj për këtë besoj që Blerina është njeriu i duhur që eksperiencën e koordinimit ta vë në dispozicion në një organizim dixhital të partisë.
Në kushtet kur Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati do marrë drejtimin e Tiranës, drejtimin e Rinisë Gent Cakës dhe nëse nuk kam harruar ndonjë, pjesa tjetër e sekretariatit do të mbetet siç është, vetëm kur organizimi do të bëhet edhe nga Arbeni" deklaroi Rama.
Ndryshimet që bëri PS-ja në asamblenë e sotme
Valdrin Pjetri-koordinator për qarkun e Shkodrës në vendin e Ditmir Bushatit
Sandër Lleshaj-koordinator për qarkun e Lezhës në vendin e Lindita Nikollës
Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati-koordinator në Tiranë në vendin e Blerina Gjylametit
Gent Cakaj do të marrë sekretariatin për Rininë
Blerina Gjylamenti kalon te sekretariati për dixhitalizimin
Arben Pëllumbi-sekretar për koordinimin dhe organizimin
Lindita Nikolla-sekretare për burime njerëzore në PS
Ilir Beqja-sekretar per koordinimin e punes se keshillave