Rama lule grave të PS për 8 mars, buqetat më të mëdha për Hysin dhe Gjermenin që largohen nga politika

8 Mars 2021, 17:04

TIRANË- Me buqeta me lule, kryeministri Edi Rama ka pritur në selinë e PS-së gratë socialiste me rastin e 8 marsit. Në diferencë nga gratë e tjera, 2 buqetat më të mëdha ishin për Vasilika Hysin dhe Eglantina Gjermeni. Kjo për një arsye madhore, sepse këto 2 gra me një kontribut të madh në politikë, kanë zgjedhur që të largohen, nuk do të jenë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Hysi dhe Gjermeni kanë mbajtur fjalën e tyre "të lamtumirës", të cilat e kanë nisur duke rrëfyer rrugëtimin e tyre në politikë që nga momenti kur kanë marrë ftesën për të qenë pjesë të PS-së. Të dyja historitë, kanë një të përbashkët. Si Gjermeni, ashtu edhe Hysi kanë refuzuar fillimisht të futen në politikë, mes steriotipeve që kanë pasur, por këmbëngulja e kryeministrit Edi Rama ishte e madhe, aq sa nuk e kanë refuzuar dot. Kjo sepse, siç ka rrëfyer vetë Rama, kundërargumenti më i fortë që i dha refuzimit të tyre ishte "bëjeni politikën si ju dhe jo të kundërtën".