Rama - Manastirliu inspektojnë vaksinimin në Fier: Do ulim fashën +60 me të sëmurët kronikë!

4 Prill 2021, 12:36

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit  masiv në Fier.

"Në Fier ka nisur vaksinimi në qendrën e përqendruar të vaksinimit është hapur ditën e djeshme. Kemi arritur mbi 185 vaksinime përgjatë këtyre ditëve. Në Fier kemi kaluar 16 mijë vaksinime ndërkohë që vijohet edhe me Policinë e Shtetit sot edhe me gazetarët dhe operatorët e terrenit dhe sigurisht të moshuarit të fashës +70. Përgatitemi të ulim fashën këto ditë dhe të kemi një përqendrim tek të sëmurët kronikë", deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se javën e ardhshme pritet të vijnë doza të tjera të vaksinës Pfizer dhe Sinovac.

"Janë mbi 125 të moshuar të vaksinuar deri sot në qytete dhe në të gjithë fshatrat dhe zonat e thella, në ambulanca, pra kemi bërë një shpërndarje 100% të vaksinave. Presim që java që vjen të kemi sërish vaksina te Pfizerit dhe gjithashtu serinë e ardhshme të Sinovakut që brenda javës që vjen pritet të mbërrijë, për te hapur kështu dhe fashën +65, edhe +60 me të sëmurët kronikë", tha Manastirliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 185,497 doza të vaksinës ndaj COVID19, nga të cilat 126,146 vaksinime për të moshuarit. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.