TIRANE- Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur në kongresin e PS se socialistët do të marrin 800 mijë vota për mandatin e tretë, për të cilin tha se duhet të punohet shumë më shumë dhe nuk duhet të pritet arritja e tij për inerci të dy të parëve. Teksa i hoqi vërejtje deputetëve socialistë për mungesën e komunikimit me popullin, Rama e cilësoi Partinë Socialiste si median më të madhe në vend, me rreth 100 mijë veta në terren që duhet të përdorin celularët për folur me qytetarët që i kanë votuar për të qeverisur.
Rama paralajmëroi të gjithë qytetarët se nuk do të ketë më para në xhepa dhe "nën jastëk" të pajustifikuara, por të gjitha do duhet të depozitohet në llogari bankare. Nëse burimi i tyre nuk justifikohet Rama tha se pastaj do nisë ndërhyrja e OFL. E njëjta procedurë deklaroi Rama, do të përdoret edhe për paratë e emigrantëve, të cilët nuk duhet t'i mbajnë paratë në bankat e vendeve ku jetojnë, por t'i sjellin ato në vendin tonë, me një interes të ulët.