Vetëm pak ditë para nisjes së fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ka zhvilluar një takim me deputetët dhe drejtuesit e PS-së në qarqe. Në këtë mbledhje kanë qënë 30 socialistë, ministra, deputetë dhe drejtues politikë qarqesh, të cilët kanë biseduar me kryeministrin për strategjinë elektorale dhe fushatën që do të nisi më 1 qershor.
Mbledhja ka nisur në orën 19:00 në zonën e ish-Bllokut tek 'Vila 31' apo siç njihet ndryshe si ish-vila e Enver Hoxhës. Ndërkohë Report tv ka mësuar se në takim është folur për strategjinë elektorale, nga spotet deri tek kalendari i aktiviteteve.Kujtojmë se hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ishte parashikuar të mbahej më 31 Maj por për shkak se kjo datë përkonte me datën e protestës së radhës të thirrur nga opozita joparlamentare data u shty për në 1 qershor.
Njoftimin e bëri vetë kryeministri Rama me letrën e pestë të dërguar kreut të PD-së Lulzim Basha në kuadër hapjes së rrugës për dialog qeveri-opozitë.
"Kollaj shtyrja, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë", shkruante Rama.
Ndërkohë opozita vijon me qëndrimet e saj dhe nuk pranon të ulet në dialog. Ndërkohë edhe data e tyre e protestës u shty ku sipas kreut të PD-së Lulzim Basha, shtyrja e protestës vjen për shkak të natës së Kadrit për besimtarët myslimanë. Protesta e radhës është parashikuar të mbahet me 2 qershor.
Në këtë situatë Report Tv gjithashtu mëson se në një kohë kur Basha do të protesojë në kryeqyte, Rama do të prezantojë kandidatin Pjerin Ndreu për bashkinë e Lezhës.
Të parët që mbërritën në Vilën 31, ishin kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ministrat Blendi Klosi e Ogerta Manastriliu. Më pas në këtë takim kanë mbërritur edhe Bashkim Fino, Elisa Spiropali, Mirela Kumbaro, Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi e Etilda Gjonaj etj.