Në takimin me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se në kryeqytet, PS do të fitojë 20 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.
Teksa tha se skuadra e PS në Tiranë është në lartësinë e pritshmërisë së publikut, Rama bëri një krahasim dhe me kandidatët e PD ku ndërsa i përmendi disa me emra i cilësoi ata si mbetje të shekullit të kaluar. Nga kandidatët e PS ka veçuar Najada Çomon dhe Luljeta Bozon duke thënë se kanë pasur rol të rëndësishëm gjatë pandemisë dhe tërmetit. Për Pandeli Majkon i cili është i 19 në listën e Tiranës tha se në mandatin e ardhshëm do të renditet i 20-ti dhe atëherë do të flasë edhe për Teatrin Kombëtar.
“Besoj që ne kemi vënë përpara zgjedhësve të qarkut Tiranë një skuadër e cila është në lartësinë e pritshmërisë së publikut. Të të gjitha moshave të të gjitha kategorive për të pasur një zgjedhje e cila në bazë të sistemit të ri zgjedhor është një zgjedhje për partinë por edhe zgjedhje preferenciale për një kandidat apo një tjetër. Shpreh mirënjohje për 2 zonjat e nderuara që janë në dy krahët e mi që u bënë pjesë e kësaj skuadre si një detyroim qytetar dhe si një angazhim qytetar dhe si një akt i cili flet shumë për faktin se sa më shumë partitë të kenë ambicie dhe vullnet për tu bërë pasqyra aq më shumë janë mundësitë që kjo të ndodhë”, tha Rama.
Gjatë takimit Rama theksoi se pandemia spostoi projektet e PS, prandaj nënvizoi se PS i duhet mandati i 3 për çuar deri në fund të gjithë proceset e nisura në mënyrë që ato të bëhen të pakthyeshëm dhe të mos përsëritet historia e zhbërjes. Teksa u ndaj te Reforma në Drejtësi, Rama theksoi se ajo nuk mund të imagjinohej pa PS.
