Kryeministri Edi Rama nuk i la pas ironitë për presidentit Ilir Meta.
"Asnjë vendi nuk mund t'i bie taksirati të ketë një president si Ilir Meta, dhe duhen marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar. Dhe besoj se komisioni i përbashkët i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë seriozisht. Në dritën e kësaj ngjarje të re, gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në kuvend dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore. Është shumë e thjeshtë. Merreni me mend, kemi bërë një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe pazaret e politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një institucion të posaçëm, të pavarur, KED, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin. Nuk ka interpretime të mundshme për këtë proces.
Nuk kemi ne luftë me Ilir Metën, Ilir Meta ka luftë me botën, me qeverinë, me Shqipërinë, dhe me veten. Ne kemi detyrën të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset zgjedhore, të formimit të drejtësisë dhe çdo proces tjetër ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi fuqiplotë i Kushtetutës, njësoj si talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm të librit të shenjtë", tha Rama.