Rama: Meta plan të orkestruar me Saliun në dëm të Shqipërisë! Basha dhe Monika 'instrumentë' të tyre

13 Qershor 2019, 14:32

Kryeministri Edi Rama i dha arsye vendimit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet, duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, dekretuar nga vetë ai.

Kreu i qeverisë e quajti një plan politik për të marrë peng jetën politike në vend, me synimin për të mos lejuar që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës në Kuvend, shefi i mazhorancës tha se pas këtij plani politik fshihet Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhe se Monika Kryemadhi e LSI-së, dhe kryedemokrati Lulzim Basha, janë vetëm instrument që shfrytëzohen prej tyre për të arritur qëllimin: minimin e rrugës së negociatave për BE.

"Pse Meta e bëri këtë ndërhyrje antikushtetuese. Nuk është kërcënim vetëm për Republikën parlamentare por për logjikën njerëzore. E bëri pikërisht atë ditë kur SHBA dënuan dhunën duke treguar me gisht Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës.  E vërteta e dalë nga ky akt marrëzie është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër por një hap për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe për të minuar rrugën drejt BE. Berisha dhe Meta kujtojnë se mund të më largojnë mua me molotovët e Lulit dhe filxhanët e Monikës por e kanë gabim. Këta janë instrumente në duart e tyre. Dy ustallarët e rrëmujës dhe intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që dukem, koka që i duhet turmës për ta sjellë në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores, ndërsa preja nuk jam unë por Shqipëria. 4 aventurierë që duan të ndalin shtetbërjen. Doni të dini si do të ishte Shqipëria e tyre, shikoni ata. Doni që Shqipëria t'i ngjajë atyre të katërtëve.

    No videos found.