Rama: Mos u ankoni për oraret, nuk janë për qejf! S'do lejojmë grumbullimet

22 Mars 2020, 13:57 | Përditesimi i fundit: 2020-03-22 17:46:57

"Nesër në 05:00 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe do keni 8 orë për të bërë pazar. Keq kur ishin dy orare, keq me një orar më të zgjatur, mesa duket nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë për qejf, por janë të imponuara nga nevojat e përballimit të një luftë që kërcënon të marrë me mijëra njerëz me vete. Çfarë lidhje kanë oraret me rrugët e mbushura plot, dhe tregjet plot, por të ecim të mbarojmë punë të mbajmë radhë rresht, të durojmë të presim derisa të mbarojmë punë. Disa thonë të mbyllemi dy javë mos të dalë asnjëri, po për të ngrënë si do ia bëjmë? Pse të mos zbatojmë rregullat, pse të mos jemi rigoroz në këtë luftë, dhe si mund të mos na mjaftojnë 8 orë për pazare dhe të kthehemi në shtëpi?

Nuk duam të zgjohemi herët dhe duam të turremi të gjithë në orën 10:00. Kjo mënyrë nuk shkon fare në këtë luftë, dhe ne nuk do ta lejojmë.

Grumbullimet pa rregull, radha, xhirot nëpër rrugë, janë të paligjshme, të rrezikshme, dhe të patolerueshme në këtë luftë", tha kreu i qeverisë.