Rama ndërpret fjalën në Librazhd, në respekt të ezanit!

13 Prill 2021, 14:53 | Përditesimi i fundit: 2021-04-13 14:58:29

I pranishëm në Librazhd, në një takim me të rinjtë, kreu i PS-së, Edi Rama, ndërpreu fjalën, duke kërkuar që të mbahej qetësi, në respekt të thirrjes së hoxhës. Ai përfitoi nga kjo për të uruar edhe njëherë besimtarët myslimanë, ku tregoi edhe një 'episod' që i ndodhi mëngjesin e sotëm, kur vizitoi xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë.

Ndërsa foli për ngarkesën që ka si kryeministri i një vendi që u përball me dy fatkeqësi brenda një mandati, tërmetin dhe pandeminë, Rama tha se prej një viti tashmë po përjeton një periudhë të vështirë. Sot në xhaminë e Et’hem Beut, Rama tha se hoqi atletet dhe veshi një palë këpucë që t’i hiqte e vishte kollaj tek dera e xhamisë, por pasi doli nga aty, harroi të vishte atletet.

"Më thonë qesh o burrë se do fitojmë por më besoni nuk është e lehtë të qeshësh dhe të jesh i pangarkuar dhe të dukesh i freskët sikur ke fjetur gjumë 10 orë. U bë më shumë se 1 vite që ka qenë një kohë e vështirë. Që nga momenti që mora lajmin që ra një tërmet dhe moment pas momenti merrja lajme për dëmet që ishin bërë, ndryshimi në jetën time ishte shumë i madh. Nga ai moment dhe deri më sot nuk arrij të ndaj veten time nga ata që presin të kthehen në shtëpi, nga nxënësit që presin të kthehen në shkollën e tyre dhe nga të moshuarit që presin të çlirohen nga ankthi i tmerrshëm dhe pasiguria përballë armikut të padukshëm. Kjo kohë nuk ka qenë koha e një kryeministri në zyrë që bën plane. Ka qenë koha e rreshtimit krah për krah atyre që nuk duhet të jenë vetëm. Atyre që jetojnë larg Tiranës dhe larg kontakteve me të fuqishmit e kësaj toke. Janë ata në mendjen time çdo sekondë dhe çdo minutë. Sot mëngjes ngaqë shkova për të parë xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë që është restauruar, hoqa atletet dhe vesha këto këpucët që t’i hiqja e vishja kollaj tek dera e xhamisë dhe harrova të vesh atletet. Kjo është jeta ime, çdo ditë e minutë.

Meqë patëm këtë ndërprerje në respekt të lutjes, dëshiroj që të shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë besimtarëve myslimanë një agjërim të pranuar dhe t’ju them të gjithëve se jo shumë muaj, por 1-2 muaj më parë, askush nuk e imagjinonte se do të vinim sot në situatën ku gjyshërit, gjyshet do të ishin çdo ditë duke buzëqeshur”, tha Rama.