Rama: Ndërtuesit të riparojnë vetë pallatet e dëmtuara nga tërmeti ose burg! Doja të ishte këtu edhe opozita

1 Dhjetor 2019, 19:09 | Përditesimi i fundit: 2019-12-01 20:30:40

Në këtë mbledhje u vendos që të gjitha fondet që do të mblidhen nga shoqatat dhe institucionet të bashkohen, ndërsa shpenzimet të monitorohen nga të gjithë. Kryeministri kishte një thirrje të fortë për ndërtuesit duke u kërkuar që të riparojnë vetë dëmet në pallatet që nuk kanë dëmtime të konsiderueshme, pasi në të kundërt do të përfundojnë në burg.

Të bashkuar për t’u ringritur. E mira do të ishte që i gjithë fondi të bashkohej. Do të vendosen të gjitha buxhetet në një dhe këtu vendosen si shpenzohen dhe monitorohen" tha Rama. Ende nuk ka një faturë për dëmet, por inxhinieri Arben Meçe i tha kryeministrit se "Përgatituni për një dëm mbi 500 milionë euro. Durrësi është një katastrofë për dëmin që ka. Unë e shikoj këtë si shtab lufte, nga organizimi dhe funksionimi" tha ai. 

Kryetari i Komitetit do të jetë Arben Ahmetaj, që do të menaxhojë të gjitha fondet që do të mblidhen. Ahmetaj propozoi që ti kërkohet me shkrim FMN të marrë pjesë me fondin e fatkeqësive natyrore. 'Buxheti i rindërtimit të jetë brenda buxhetit të shtetit, pra të jetë si një zgjatje e buxhetit të shtetit, të jetë aty që të mbetet në kohë' tha ai.  Gjithashtu, kreu i qeverisë u kërkoi shoqatave të ndërtuesve dhe bankave që të vijojnë të mbledhin lekë, "që të jemi të qartë, se ide i mirëpresim, por na duhen më shumë kontribute" tha ai