KUKËS-Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në qytetin verilindor gjatë konferencës për mediat u shpreh se vitin tjetër në zgjedhjet lokale, Partia Socialiste do ta fitojë këtë bashki, e cila aktualisht drejtohet nga Bashkim Shehu, i zgjedhur nga PD. Rama e vlerësoi kryebashkiakun aktual, si ndër të paktët e zgjedhur nga krahu tjetër me të cilin nuk ka pasur probleme, ndërsa thumboi sërish Voltana Ademin.
Kemi dhënë financime për bashkinë e Kukësit. Nevojat jo në Kukës, por edhe në SHBA nevojat janë shumë herë më të mëdha se mundësitë. Dua të them që e kemi mbështetur sa kemi mundur Kukësin, por nuk kemi të drejtë tu themi që të jenë të kënaqur dhe e dyta ne do ta fitojmë Kukësin vitin tjetër dhe do të kemi një bashki që do të punojmë më tepër. Do të ishte e padrejtë po të thosha se me kryetarin aktual kemi pasur probleme, ai është i partisë tjetër por është nga të paktët që nuk kemi pasur probleme, si me zonjën e mirënjohur të Shkodrës. Nuk është çështje individi, por e të kuptuarit të gjërave.
Edi Rama
Shefi i qeverisë njoftoi se përveç ndalimit të alkoolit, adoleshentët nën 18-vjeç do ta kenë të pamundur të shkojnë edhe në lokalet e natës pa shoqërinë e prindërve apo mësuesve.
Së shpejti do të shkojnë në parlament projektligji për ndalimin e alkoolit pranë shkollave për ata që janë nën 18-vjeç. Mbyllja e rrjetit të pikave të basteve në qytete është njëra anë, por ana tjetër është mbrojtja e adoleshentëve nga alkooli. Duhet një masë drastike në bashkëpunim me shkollën dhe prindërit. Do të ndalohet frekuentimi i club-eve të natës nga ata që janë nën 18-vjeç, do të jetë rreptësishtë e ndaluar hyrja në club-et e natës. Vetëm kur të jenë të shoqëruar me prindër apo mësuesve, ndryshe do të jetë e ndaluar rreptësishtë. Do të ketë sanksione të rënda, deri në mbylljen e lokaleve deri edhe në një vit. Duke ua bërë të pamundur edhe dhënien me qira të mjediseve.
Edi Rama
Kryeministri foli edhe për bashkimin doganor me Kosovën, ndërsa sqaroi projektin edhe për ata që e kundërshtojnë.
Flasim për bashkim doganor, jo pa dogana, nuk ka arsye që të shikohet me vështrim të vëngër, kemi të drejtë dy shtetet që të bëjmë marrëveshje. Kemi qenë gati që vjet, Kosova nuk ishte gati dhe marrëveshja nuk u miratua. Po që në mbledhjen e nëntorit jemi gati të vendosim. Durrësi do të jetë dogana e përbashkët për të gjithë mallrat që hyjnë nga porti drejt Kosovës. Ndërkohë që në pikën këtu, do të kemi një shërbim me polici të Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo dy palë kontrolle dhe dy palë dhimbje koke. Nëse Serbia do të bëjë bashkim doganor me ne mund ta bëjë pa problem, me Kosovën do e bëjmë dhe nuk na ndalojnë dot. Kjo bëhet për të lehtësuar sipërmarrjen dhe procedurat, që të mos detyrohen njerëzit të humbasin kohë me burokracitë. Kjo duhet të ndodhë në të gjithë Ballkanin. Ata që na thonë ca bëhet dhe çfarë nuk bëhet, lëvizin pa asnjë problem i kanë kufijtë fluidë.
Edi Rama
Gjithashtu kryeministri foli edhe për investimet që do të bëhen në qarkun e Kukësit në shkolla, ujësjellësa dhe qendra shëndetësore.