Rama në darkën e iftarit: Vëllazëria jonë qindravjeçare fetare, bekimi më i madh në histori

14 Qershor 2018, 22:53

“Lexo dhe hiq dorë nga dhuna”, janë dy urdhëresa të qarta të Islamit që Princi Ghazi i Jordanisë shtjellon në librin e tij “Drejtësi dhe dashuri”, një bashkëbisedim islamo-kristian. Me këto urdhëresa e nisi fjalën Kryeministri Edi Rama në sofrën tradicionale të Iftarit të shtruar në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

“Padyshim këto urdhëresa nuk i vlejnë vetëm myslimanëve apo edhe të krishterëve, por kujtdo, kudo, kurdo, ashtu sikundër sofra e Iftarit këtu në Shqipëri nuk është një hapësirë ekskluzive për vetëm ata që agjërojnë, por e kujtdo, kudo dhe kurdo që merr një ftesë dhe bën një ftesë në emër të parimit të madh të dashurisë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “prania e kësaj sofre të posaçme është e nuancuar këtu në Shqipëri njësoj si fjala dashuri në Kuran me 50 shfaqje të saj, paçka se leximi si i tillë i kësaj pranie mua më duket një ushtrim jo real”.

“Vëllazëria jonë qindra e qindra vjeçare fetare është ndoshta bekimi më i madh që historia, pasi na rrahu me vajin e sprovave dhe me uthullën e zhgënjimeve, na la si melhem për plagët e gjithëfarshme të bashkëjetesës jo të lehtë ndër shqiptarë”, – nënvizoi Rama.

    No videos found.