Rama në konferencë me Hotin: Nuk mund të jemi të ndarë për interesa strategjike

3 Korrik 2020, 14:35 | Përditesimi i fundit: 2020-07-03 14:46:59

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kur u pyet nëse do ta mbështesë Shqipëria një iniciative të Kosovës për të paditur Serbinë, tha se një shtet nuk mund të bëjë padi ne emër të një shteti tjetër, por u shpreh se Kosova dhe  Shqipëria nuk duhet të jenë të ndarë për interesa strategjike.

"Ne jemi një komb, një familje, por jetojmë në dy shtet dhe dy shtëpi të ndryshme. Mesa unë di një shtet nuk mund të bëjë padi për një shtet tjetër, në kuptimin ne emër të një shteti tjetër. Në të gjitha rastet unë besoj se kjo që ka ndodhur me presidentin e Kosovës nuk mund të përballohet duke bërë sikur po intensifikojmë luftën me Serbinë. Unë besoj që bërja sikur po intesifikohet lufta me Serbinë duke barikaduar dhe duke filluar me 'fletërrufe' për atë që ka ndodhur vetëm dobëson pozicionin e Kosovës dhe forcon pozicionin e Serbisë. Nganjëherë në situata të tilla aleatët e kundërshtarit janë ata që bëjnë sikur luftojnë kundërshtarin më fort. Në një proces si ky, duhet bërë pyetja sot, çfarë duhet të presim ne, shqiptarët në vitet e fundit nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa në gjithë historinë e tyre. Kjo është e vërteta. Kemi dy shtete, por nga ana tjetër sa më shumë sfida e paqes komplikohet aq më shumë ne shohim në këto pak vite të fundit të prevalojnë instinktet dhe metodat e vjetra që në historinë tonë na kanë shkatërruar gjithmonë, të sherrnajës dhe ndasitë mes veti edhe kur vjen fjala për një interes strategjik. Nuk ka asgjë të jemi të ndarë për reformën zgjedhore, apo për mirë menaxhimin apo keqadministrimin e pandemisë, por nuk mund të jemi të ndarë dhe të sherrosim për interesin strategjik. Çfarë presim ne? Presim që Presidenti i Serbisë do të njohë Kosovën? Apo presim që presidenti i Serbisë të tregojë se ndihet keq pse ne nuk jemi në gjendje të flasim në një zë. Mos i prisni, nuk kanë për të ndodhur. Procesi vazhdon dhe kjo është një luftë diplomatike, është shah nuk është boks", tha Rama.

    No videos found.