Rama: Në Korrik analizojmë qeverisjen dhe raportin me opozitën, iu shtrij dorën për pakt

30 Qershor 2019, 21:41

Kryeministri Edi Rama i shtriu dorën për pakt opozitës nëse dëshiron, por shtoi se nuk pranon kushte. Ai tha se shumica do të rishikojë pozicionin në skenën politike dhe marrëdhëniet ndërpartiake, qoftë me opozitën brenda parlamentit apo jashtë. "Nga nesër, kemi vetëm një meritë për fitoren, qëndruam në anën e duhur të historisë, zgjodhëm rrugën më të vështirë, thuajse të pamundur. Kemi meritën që zgjodhëm rrugën e drejtë dhe të gjatë të së ardhmes duke u orientuar nga e drejta e popullit mbi partitë dhe pranuar sfidën e rrezikshme sy më sy dhe dhëmbë më dhëmbë.

Nuk zgjodhëm bashkëjetesën me të keqen për të shitur shtrenjtë të ardhmen. Për këtë meritë jam sot shumë krenar si udhëheqësi i PS-së. Për këtë meritë, PS-ja është më e besueshme sesa dje, libri i historisë së kësaj partie do të ketë një faqe më shumë për të lexuar të vërtetën më të madhe, kurrë në konflikt me interesin kombëtar. Mbyllet sot qëndrimi te kjo arritje. Nga nesër 30 qershori është histori, ndërsa vitet që do e pasojë dhe katër vitet e mandatit të ri të qeverisjes vendore janë borxhi i ri.

Nuk iki, megjithëse e di sesa shumëfish më shumë se sot është sfida e shlyerjes së tij nëse nuk fillojmë të ndryshojmë nga ata që jemi sot. Do të zhvillojmë një debat në korrik për të analizuar qeverisjen. Do të programojmë të tëra korrigjimet e nevojshme në funksion të sfidës. Një debat të gjerë për të analizuar situatën në familjen tonë politike. Dhe pozicionin tonë të ri në skenën politike dhe marrëdhëniet ndërpartiake, qoftë me opozitën brenda parlamentit apo jashtë.

Plaga e hapur kërkon kurim, ne do të bëjmë cdo, pavarësisht se e hapën humbësit me turp. Nëse duan paqe, paqe do të kenë dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr nga sulmet kundër Shqipërisë. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë, vetëm me dialog pa kushte dhe shprehje për t'u angazhuar të gjithë për celjen e negociatave. Dora ime është e shtrirë, reforma zgjedhore mbetet sfidë me opozitën parlamentare dhe atë jo parlamentare" tha ai.

    No videos found.