Rama në Lezhë për përmbytjet: Niveli i reshjeve dy herë më i lartë se në 2010, sot dëmet më të vogla

10 Janar 2021, 12:53

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Lezhë për të monitoruar situatën me përmbytjet, ku thekson se edhe pse niveli i reshjeve ka qenë tepër i lartë dëmet nga përmbytjet janë shumë të vogla. Rama shprehet se me zhbllokimin e kanaleve kulluese dhe vendosja e argjinaturave ka bërë që përmbytjet të kenë dëme më të vogla krahasuar me përmbytjet e  2010 edhe pse sot niveli i reshjeve ka qenë dy herë më i lartë se në janarin e 2010.

“Aty ku sot bilanci disaditor i rreshjeve është dy herë më i lartë se në janarin e lemerisshëm të vitit 2010, kur kanalet e bllokuara gjithandej nga plehrat dhe menaxhimi kriminal i kaskadës së Drinit bënë hatanë e zezë! Ndërsa sot, falë punës së madhe të bërë vit pas viti me zhbllokimin e sistemimin e kanaleve kulluese dhe me argjinaturat, dëmet janë dhjetra e dhjetra herë më të vogla. Vetëm kush e ka harruar se ku ishim deri dje apo kush nuk do që ta shikojë dallimin e madh që ka bërë me të djeshmen puna e këtyre viteve, nuk ka se si ta shohë që kjo e sotmja është një situatë e natyrshme, si në çdo vend kur intensiteti i reshjeve kalon kaq përtej kufijve të normales”, tha Rama

I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili bëri një pasqyrim të situatës në vend, ku më problematike është lagja Varosh ku ka pasur rrëshqitje masive dherash dhe janë dëmtuar banesat në zonë. Nderu shprehet se kjo zonë ka qenë gjithmonë problematike dhe nuk duhet të lejoheshin ndërtimet, por që sot disa prej tyre janë të legalizuar e disa jo.