Rama në Shkodër: Pas të moshuarve mbi 70-vjeç, fillojmë vaksinimin e grave dhe vajzave që punojnë në fasoneri

31 Mars 2021, 14:26 | Përditesimi i fundit: 2021-03-31 15:08:32

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se pas mbarimit të vaksinimit të të moshuarve mbi 70-vjeç, do të fillojë vaksinimi i grave dhe vajzave që punojnë në fasoneri. Lajmin Rama e bëri të ditur nga Shkodra, ku vizitoi një fasoneri.

"Sapo të mbarojmë me vaksinimin për moshën 70-vjeç e lartë, do zbresim poshtë dhe të parët që do vaksinojmë do jenë të gjitha gratë dhe vajzat e fasonerive, burrat kismet", tha Rama.

Vaksinimi masiv i të moshuarve mbi 70-vjeç në vend vijon prej katër ditësh tashmë në vend dhe po ecën me ritme mjaft të shpejta, ku deri më tani janë vaksinuar në total 100 mijë persona.

Autoritetet qeveritare kanë bërë me dije se objektivi është që brenda majit të jenë vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë.