Rama: Në shtator paraqesim në Këshillin e Evropës pavërtetësinë e akuzave të Dick Marty, bota ta dëgjojë! Mbi ato akuza u ngrit Gjykata Speciale

20 Qershor 2022, 15:12

Kryeministri Edi  Rama bëri me dije sot nga Prishtina se Shqipëria do të paraqesë në Këshillin e Evropës një diskutim në lidhje me pavërtetësinë e akuzave të Dick Marty për gjoja krimet e luftës në Kosovë. Rama tha se bota duhet ta dëgjojë këtë fakt.

 “Do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithnjë e më shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martit dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një Shtëpie të Verdhë e trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse. Duke pasur parasysh dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur sërish me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer tek trafiku i organeve. Nuk ka asnjë fakt të lidhur me Dick Marty e raporti i tij që ishte shkaku pse u mor rruga drejt Gjykatës Speciale, për këtë dikush të hapë veshët në mos të përgjigjet të paktën duhet të dëgjojë. Bota duhet  ta dëgjojë. Sponsorat e atij tribunal duhet ta dëgjojë. Ai tribunal është projektuar për tu dhënë përgjigjeve akuzave të Dick Marty. Nuk ka asnjë gjë në atë akuzë. Zero. Kemi të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën e shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, tha Rama.