TIRANË - Edhe familja e Alesio Cakonit, 10-vjeçarit që humbi motrën dhe babain nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, tashmë bashkë me nënën e mbijetuar dhe gjyshen kanë një shtëpi të re. Ata janë sistemuar në një apartament të ri i cili ndodhet në bashkinë e Kamëz, ndërsa këtë mbrëmje vizitën e parë në shtëpinë e re ua ka bërë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Rakip Suli.
Shpërblimin që kryeministri pret nga i vogli Alesio, është që të jetë nxënës me 10-a, ndërsa bëri të ditur se 10-vjeçarit së bashku me Aurel Lalën që humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti, u ka vendosur bursë mujore për të mbuluar shpenzimet e shkollës.
"Unë kam kënaqësi të madhe për këtë punë. Më jep fjalën që do të mësosh mirë. Të gjitha 10-a. I kemi lidhur bursë mujore për shkollën. 150 mijë lekë në muaj për libra, për sport, për rrobat. Po morët nota të mira vijnë edhe të tjerat, me nota të këqija nuk i duheni asnjë njeriu. Të kënaqni të gjithë kë keni rrotull. Mamit do ia shpërblesh me nota të mira, edhe gjyshes. T'ju njohë bota për atë që jeni ju, jo prej Ronaldos", tha Rama.
Të dy djemtë heronj që i shpëtuan tërmetit duke u hedhur nga kati i pestë (Cakoni) dhe nga kati i tretë (Lala), kryeministri i mori në Romë ku i plotësoi dëshirën duke i takuar me Cristiano Ronaldon dhe portierin e Juventusit Gianluigi Buffon. Aureli në dhomën e tij kishte të pikturuar në murë Ronaldon, ndërsa edhe Alesio në shtëpinë e re dhoma e gjumit kishte të mur të preferuarin e tij: Portierin e Milanit Gianluigi Donnarumma, i cili i kishte dhuruar më parë bluzën me mbishkrimin: "I dashur Alesio, të jam shumë pranë, të përqafoj shumë fort. Forca Milan”.
Rama la të kutphet, se djemve, të cilët siç ishin në Thumanë bashkë, tashmë janë fqinj në Kamzë, ndoshta do t'u bëjë një suprizë edhe për vitin e ri. Por nuk dha shumë detaje.
"Për vit të ri si e keni planin? Do ta gjejmë ndonjë gjë për vit të ri. Ndonjë kërkesë për Babagjyshin keni? Shkruaj një herë s'i dihet, coje me postë tek bashkia. Drejtuar Babagjyshit të Vitit të Ri, bashkia Kamëz", tha Rama.