Rama në takim me pronarë të bujtinave në Lezhë: Turizmi më i goditur nga COVID, por ia ka dalë!

4 Mars 2021, 15:16

LEZHË- Kryeministri Edi Rama është ndalur mesditën e sotme në takim me përfaqësues të bujtinave në Lezhë. Ai tha se turizmi ka qenë një nga sektorët më të prekur, por edhe që ia ka dalë mirë, duke listuar 2 arsye. Rama tha se ishte i vetëdijshëm që mosrespektimin e distancës në restorante dhe këtë ua tha edhe vetë pronarëve.

"Turizmi është goditur shumë po ia ka dalë, falë fakti që nuk kemi mbyllur kufijtë me Kosovën por edhe për faktin që kur vjen puna te tavolina, nuk respektohen shumë, ee", tha Rama.

Teksa dëgjoi shqetësimet e përfaqësuesve të bujtinave, Rama shtoi se brenda fundit të vitit 2022 të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kenë ujin e garantuar sepse të gjitha janë në kantier ose në ndërtim e sipër, e ndërsa për Tiranën ky proces do të dojë më shumë kohë.

“Brenda fundit të vitit 2022 të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kenë ujin e garantuar sepse të gjitha janë në kantier ose në ndërtim e sipër. I vetmi vend ku është problem edhe më I madh është Tirana që mund të zgjasë deri në 2023. Për të pasur 24 orë ujë në të gjithë hapësirën e vet. Kam parasysh jo vetëm bashkitë brenda për brenda por edhe komunat më të populluara”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se këto nuk janë premtime dhe se PS nuk ka një program elektoral, por është një plan konkret.