Kryeministri Edi Rama dhe një delegacion i gjerë qeveritar që e shoqëron, kanë nisur sot vizitën zyrtare dyditore në Turqi, me ftesë të Presidentit Erdogan. Në takime janë firmosur një sërë marrëveshjes, teksa në fund kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan kanë dalë në një deklaratë për mediat.
Mes dy vendeve është krijuar Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë dhe tashmë dy vendet e shohin njëri-tjetrin si partner strategjik. Ndërkohë janë nënshkruar 4 marrëveshje mes dy vendeve. Marrëveshjet parashikojnë ndërtimin e spitalit të Fierit, restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër, bashkëpunimi mes Universitetit New York që është në pronësi të Fondacionit Marif me Universitetin e Stambollit.
Rama e ka cilësuar këtë vizitë si shumë të rëndësishme për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit strategjik.
Gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, kryeministri Edi Rama i shprehu mirënjohjen atij për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar në momentet kur Shqipëria kishte më shumë nevojë, si në momentin e tërmetit të 26 nëntorit si dhe gjatë pandemisë.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë u shpreh se në takim është biseduar për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
