Këtë pasdite kreu i qeverisë Edi Rama mbajti një takim elektoral në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku prezantoi kandidatin Mark Babani, i cili nuk ka kundërshtarë përballë. Rama tha se kjo ndodh pasi udhëheqja e PD-së u ka hequr mundësinë qytetarëve për garë, dhe se partia ka kapitulluar para se të fillojë beteja zgjedhore. Kjo për Ramën është provë se PD ka prnauar që nuk i fiton dot zgjedhjet në garë me Partinë Socialiste. Rama përmendi edhe sulmet ndaj KZAZ-ve, ku tha se kjo gjë ndodh në Shqipëri me PD-në dhe në Afganistan me talebanët. Këto sulme sipas kreut të qeverisë janë për të mbjellë frikë. "Duan të imponojnë ligjin e xhunglës", theksoi ai.
"Mbështetja juaj në 30 qershor do jetë bindëse jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë. Si një fushatë për zgjedhjet vendore do ishte shumë e thjeshtë, më e lehta që kamë bërë ndonjëherë për arsye për çdo stacion fushate në bashkitë ku i kemi drejtuar ne, puna flet më shumë se 1000 fjalë. Edhe kjo pedonale është fryt i mbështetjes së kryetarit të bashkisë. Do më kishte pëlqyer shumë që këto zgjedhje të ishin me kundërshtarët politikë përballë. Marku nuk e ka përballë kryetarin aktual të bashkisë në këtë fushatë. Shumë demokratë që mund të ndërrojnë edhe fe por jo partinë, nuk kanë zgjedhje. Jo sepse ne ia kemi hequr këtë mundësi por sepse udhëheqja e PD ia ka hequr këtë mundësi. Ka pranuar se nuk fiton dot zgjedhje me ne dhe është larguar jo më për të ardhur tek ju, pr të shkuar tek njerëzit, për të nxjerrë kandidaturat, idetë por për të dalë rrugëve për të pengua njerëzit të zgjedhin. Kjo gjë ndodh në dy vende të Globit, në Shqipëri me PD dhe në Afganistan me Talebanët. Ata kërcënojnë popullin të mos shkojë në zgjedhje, dhe duan të imponojnë ligjin e xhunglës dhe kjo ndodh njëhkohësisht si me talebanët në Shqipëri, ndërkohë që vendi pret që liderët e 28 vendeve të BE të thonë fillojmë bisedimet për anëtarësimin në këtë familje të madhe", tha Rama.