Nga 1 Janari i këtij viti ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale. Qeveria njofton se bizneset që kanë xhiro vjetore nga 8 në 14 milionë lekë të reja, do të përfitojnë ulje të taksës së tatim fitimit, nga 15% në vetëm 5%. Kryeministri Edi Rama vizitoi një prej sipërmarrësve që përfiton nga kjo ulje. “Tani, sinqerisht ne po ndihemi mirë, se na u ul taksa e tatim fitimit. Unë bëja 100 milion lekë xhiro në vit dhe paguaja 15 milionë lekë. Tani ne paguajmë 5 milion lekë. Unë do investoj më shumë tani. Do marr më shumë punëtorë. Shumë faleminderit, sinqerisht!” – u shpreh drejtuesi i një kompanie përpunimi mermeri në Tiranë.
Kryeministri Rama deklaroi se kjo lehtësi fiskale për biznesin do të përkthehet në më shumë vende të reja pune. “Në fakt, kjo është zona më delikate e punësimit. Të gjithë bizneset, nga 8 milion në 14 milion xhiro vjetore, që, deri dje e kishin 15% taksën e fitimit, e kanë 3-fish më të ulët nga sot, por kanë kapacitete punësimi dhe vetëpunësimi shumë të mëdha.
Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për tu zgjeruar, për tu konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat,” deklaroi Kryeministri Rama. Në fund, kreu i qeverisë u shpreh se duhet të ulet numri i atyre që shkojnë në universitet dhe të rriten ndjekësit profesional.