DURRËS - Janë 72 ndërtues që pritet të nisin rikonstruktimin në pallatet e tyre që pësuan dëme gjatë tërmetit të 26 nëntorit.
Ministri Bledi Çuçi, drejtues i operacioneve për menaxhimin e fatkeqësive natyrore tha se janë 12 ndërtues që presin të marrin lejet dhe 60 të tjerë që kanë paraqitur dokumentacionet dhe presin lejen nga bashkia. "12 kanë bërë gati kantierët", tha Çuçi teksa ju drejtua kryeministrit Edi Rama se duhet shfrytëzuar ligji i Emergjencës për të përshpejtuar procesin e dhënies së lejes.
Gjatë një vizite inspektuese në qytetin e Durrës, pranë lagjes ku ka jetuar edhe babai i tij, kryeministri Edi Rama tha se punimet duhen bërë me supervizor nga shteti mbi kokë.
"Punimet të bëhen me standarde dhe mbikëqyrja të garantohet se nuk i duhet lënë atyre të bëjnë riparim sikur po shkojnë të bëjnë bamirësi. Ta bëjnë menjëherë ta mbyllin brenda muajit, që një pjesë e tyre të jenë gati që për vit të ri. Duhet me ja bë të lehtë pjesën e dokumentacionit", tha Rama, teksa pa nga afër një pallat të dëmtuar i rrethuar me perimetër sigurie.
Shefi i mazhorancës pati edhe një bisedë me disa banorë të prekur nga tërmeti.
Hajdeni, tani që mbaroi tërmeti keni frikë nga unë?,- i drejtohet Rama.
Një banor: Nuk po pusho o burrë, dridhet akoma
Rama: Nuk ka pasur më tani por është ajo pjesa që të duket sikur dridhet.
Banor: Do pimë ndonjë kafe ndonjë gjë?
Rama: Jo mo kafe s'kemi kohë se do iki në vend tjetër unë
Rama: Do bëjmë një lagje të re në Durrës.
Banori: Në Durrës?
Rama: Ku do e bëjmë në Bari?
Banori: Të ishte për Bari kishim ikur ne
Rama: Ore për të vdekur do vdesim të gjithë, si të jetë e shkrujtme.
Banori: Ore do thonë ata tha Edi Rama do vdesim
Rama: Aaa atë punë kanë, Edi Rama dy pika do vdesim që të gjithë.
Tërmeti nuk parashikohet, por ky iku, pastaj çfarë ka rezervuar e ardhmja janë planet e zotit akoma nuk na ka çuar fjalë i kemi çuar mesazh por sna është përgjigjur akoma se është i zënë.