Rama nga Librazhdi: Do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit

13 Prill 2021, 14:34

Kreu i PS-së, Edi Rama foli me tone të larta sot në Librazhd, nga ku  nuk la pa ironizuar edhe programin e PD-së dhe premtimet e kreut të kësaj partie, Lulzim Bashës, duke kujtuar kohën kur ai ishte në krye të bashkisë së Tiranës. Sipas tij, programi i PD-së është "më jep një të të jap dy", ndërsa 'thumboi'  Bashën, për të cilin tha se "sheh ëndrra".

Luli kur kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës premtoi tramvajin e Tiranës dhe uljen e çmimit të bukës. Pas hyri në bashki fjeti gjumë për katër vjet. Çfarë zgjedhje është kjo. Midis një rruge që po e hapim çdo ditë me shumë sforco dhe durim. Keni parë ju miqtë e mi, nënën tuaj apo babain tuaj t’i bëjë punët këmbë mbi këmbë? Keni parë ju që këmbë mbi këmbë të tregojnë sa e lehtë është rruga. Ne jemi për punë të vështira, ne jemi për të mos ja bërë rrafsh jetën njerëzve. Ata thonë më jep një të të jap dy. Më jep votën se unë do të jap 1 mijë euro çdo muaj, të gjithëve këtyre që kanë dyqan. Më jepni votën se unë do t'ju paguaj gjithë kredinë e shtëpisë kur ju të martoheni. Më jepni votën se unë do ju mbaj në shtëpi juve derisa t'ju bëhet fëmija 6 vjeç. Më jepni votën se unë do ju bëj pensionin më të lartë se rrogën. Më jepni votën se pagën minimale do ta bëj maksimale. Më jep një të të jap dy dhe në fund të dy gishtat në sy që në fund të mos e marrësh veten. Ato që ju tregon Luli janë ëndrra që ai sheh", tha Rama.