Atë se çfarë po ndodh brenda opozitës, kryeministri Edi Rama e sheh veçse si një mundësi që mazhoranca të përmirësojë edhe më tej veten. Një shumicë e zgjedhur nga vullneti i popullit që sipas tij duhet të vijojë rrugën para në besimin që i është ridhënë në 25 qershor të 2017-ës për të qeverisur.
Para deputetëve të Partisë Socialiste që ai drejton, në mbledhjen e grupit mbajtur me dyer të mbyllura në selinë rozë, kryesocialisti Edi Rama tha se përpjekjet për zgjedhjet lokale duhet të vijojnë pavarësisht se çfarë bën opozita.
"Ne do të ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo ditë qeverisjen, duke u organizuar më mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, (që unë them që do hyjnë pasi të bëjnë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit), ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe më shumë qytetarëve se sa herën e shkuar", u shpreh Rama referuar vendimit të papritur që lideri demokrat Lulzim Basha shpalli dje, një ditë pas protestës, për t'i propozuar grupit parlamentar të PD-së, djegien e mandanteve. Megjithatë, vetë kryeministri nuk beson se ky vendim do të gjejë mbështetje as vetë brenda PD-së.
"Nuk besoj se do gjejnë konsensus për djegien e mandateve. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne", mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve të tij.
"Opozita dështoi me sukses të plotë në orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë por luan blofin", vijoi më tej shefi i mazhorancës.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Rama nuk la pa përmendur edhe punën e policisë së shtetit e cila u kundërshtua në detyrë nga protestuesit e opozitës. Kryeministri falenderoi ministrin e Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, dhe drejtuesit dhe punonjësit e policisë për "menaxhimin e shkëlqyer të një proteste të gatuar për dhunë e për destabilizim".
"Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve", theksoi Ramën.
Më herët në kryesinë e Kuvendit, kryeministri Edi Rama takoi kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe ministrat.
Deri më tani, Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk ka marrë një vendim nëse edhe kjo forcë politike e drejtuar nga Monika Kryemadhi do të djegë mandatet e deputetëve. Vendimi i Bashës erdhi një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar të shtunën para kryeministrisë e cila degjeneroi në dhunë.