Rama: Nuk ka shans të rrëzoni qeverinë legjitime! Ju siguroj, s'do ja dilni

12 Maj 2019, 15:06

"Nuk ka shans teorik dhe as praktik të marrësh të rrëzosh një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet ku t'i ke qenë pjesë e qeverisë në këto lloj formash. Nuk ka shanse, nuk ndodh, nuk ka ndodhur askund dhe nuk ka për të ndodhur as këtu.  Synimi është gjetkë. Synimi është të vendoset vendi në kushte pamundësie dhe të shkatërrohet themeli i rendit kushtetues që do të thotë procesi zgjedhor për të konfirmuar se o ne pushtet, o këtu vetëm qamet. Nuk do t'ja dalin, ju siguroj. Çdo protestë janë gjithmonë e më pak, sepse ka gjithmonë e më pak njerëz normal që arsyetojnë, që edhe pse janë të dëshiruar që kjo qeveri të iki sot, nuk e duan dhunën. Nuk e mbështesin djegien e mandateve, përshkallëzimin e protestave me thirrje dhe nxitje për dhunë. Tërhiqen. Shumica ka qenë, është dhe do të mbetet kundër, por sa më pak bëhen aq më të dhunshëm. Nëse është populli, populli vjen këtu 150 mijë dhe nuk ikën nga këtu, nëse populli shqiptar mendon si ata dhe do të besonte broçkullat e tyre dhe do të vuante nga ajo që ata bëjnë sikur vuaj, natyrisht që qeveria nuk ngrihet dot në këmbë. Nuk është kështu, dhe nuk ka për të qenë kurrë kështu, përsakohë unë jam këtu dhe kjo forcë politike është kjo. Ne nuk jemi të pagabueshëm, por nga ana tjetër ne jemi të vetmit që përpiqemi sa mundemi për të bërë më të mirën. Nga ana tjetër është kosto shumë e madhe për të bërë kontrastin, por dallimi është i qartë, jemi dy botë, kështu kemi qenë gjithmonë, por sot është shumë e qartë".