Rama: Nuk kam nevojë për të huajt për t'u ulur në dialog. Nuk ka asnjë paketë negocimi

14 Maj 2019, 15:19

Kryeministri Edi Rama është shprehu i hapur për të mirëpritur ndihmën e ndërkombëtarëve në procesin e dialogut që po i kërkohet liderëve të opozitës me qeverinë për të zgjidhur krizën politike. Kreu i qeverisë tha se nuk ka nevojë për ndërmjetësimin e të huajve për tu ulur në dialog, pasi ai theksoi se është shprehur gjithmonë i gatshëm, mbi të gjitha që tashmë dialogu është mëse i nevojshëm për vetë qytetarët që po përballojnë një sërë protestash të dhunshme të opozitës joparlamentare.

Shefi i mazhorancës u shpreh i palëkundur se nuk do të ketë asnjë negociatë për të shtyrë zgjedhjet vendore të 30 qeshorit 2019, pasi nuk mund të kapërcehet Kushtetuta.

Po ashtu, Rama zbuloi atë se çfarë po tentohet të manipulohet nga ana e PD-së, duke u folur për një paketë negocimi, që sipas kryeministrit nuk ekziston. Ai tha se kjo sajesë për paketën e negocimit u bë për të penguar që kandidatë të PD-së të regjistroheshin në garën elektorale si të pavarur apo nën siglën e ndonjë partie tjetër, që nuk është PD që bojkotoi zgjedhjet.

"Shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e unionit kristian demokrat, të cilës i ka rënë edhe PD si anëtare e familjes, që mbajtën një qëndrim absolutisht korrekt dhe të qartë.

Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë as për hokandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për tu ulur dhe për të dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur nuk kishte kapsolla dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka më shumë se asnjëherë nevojë për dialog, sepse nuk ja kanë borxh shqiptarët politikanëve që në vend të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë, ose të pushojnë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD-së dhe të përballojnë zhurma që as për Vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin. Për sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm, jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve, që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për t'i përfaqësuar.

E dyta, në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë se për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30-ën. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë.

Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për shumë arsye të ndryshme, për t'i thënë kryetarëve të bashkive, që PD-së, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur, apo me një parti tjetër, janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestimet", tha Rama.

    No videos found.