Gjatë prezantimit të programit për shkollat dhe universitetet kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën.
"Koha kur mësuesit e Shqipërisë ishin vetëm, të braktisur në mes të boshllëkut gërryes, kur arsimi shqiptar digjte brezat e nxënësve në zjarrin e keqqeverisjes së një tranzicioni të çoroditur. Nuk ishte në fushatat zgjedhore të shumë kohëve më parë pas përmbysjes së komunizmit, por deri dy fushata më parë, në 2013, gati çerek shekulli pasi komunizmi na la shëndenë koha kur mësuesit viheshin në rresht dhe mbushnin sheshet e mitingjeve elektorale të kryeministrit të kohës apo vendet e shfaqjes së kohës të partive të opozitës, si të ishin ata figurantët e paradave të dikurshme të 1 majit komunist që parakalonin kundër mbarë botës.
A ju kujtohet ishte vetëm një dekadë më parë, rasti skandaloz kur mësuesit u përdorën për t’i bërë karshillëk opozitës që protestonte për të hapur kutitë e votimit. E po njësoj do të përdoreshin 2 vite më pas, për atë koncertin makabër në sheshin “Nën Tereza” kundër marshimit të heshtur nga opozita në nderin e dëshmorëve të 21 janarit. E detyroi DASH atë farë burrë shteti të hiqte dorë nga ai makabritet dhe mësuesit i shpëtuan një poshtërimi të egër.
Sot mitingjet e kryeministrit në oborret e shkollave, ku fëmijët dëgjonin të sharat për opozitën duken si pjellë e një fantazie të shthurur, por kur drejtonin këta që duan të rikthehen në drejtim për ta vënë në arsimin në hyqmin e Markut, të Gjekmarkut ishte realiteti i hidhur i marrëdhënies së pushtetit me shkollat. Ja ku i keni tre ministrat e arsimit të KÇK-së, dy personazhe autosatirike, të klubeve të natës mediatike dhe një zonjë e njohur vetëm për fjalorin sharje shifës, foltore më foltore. Të tre reaksionarë, sharëxhinj, si sharrëxhinj, sharroj me sharr dhe si sharëxhi, shaj e shaj”, deklaroi Rama.