'Landfilli i Sharrës, nga një bombë ekologjike në një park të gjelbëruar/' Rama: Nuk ka shërim kush i ka sytë dhe s’do të shikojë

23 Tetor 2020, 15:34 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 15:39:25

Nga një bombë ekologjike, landfilli i Sharrës është kthyer në një park të gjelbëruar. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i përpunimit të mbetjeve në Sharrë, ku gjithçka kryhet sipas standardeve të bashkimit Europian. Kryeministri kujtoi po ashtu se “Bashkia Tiranë paguan vetëm 29 euro/ton për mbetjet urbane, tarifë shumë më e ulët se në shumë vende të Europës.

Konkretisht në Spanjë paguhet 47.1 euro/ton, në Poloni 46 euro/ton, në Francë 152 euro/ton, në Austri 87 euro/ton, në Greqi 60 euro/ton, në Kroaci 49.9 euro/ton, në Irlandë 75 euro/ton, në Bullgari 50 euro/ton dhe në Danimarkë 63.3 euro/ton.

“Nuk ka shërim kush i ka sytë dhe s’do të shikojë, kush i ka veshët dhe s’do të dëgjojë, kush e ka kokën mbi shpatulla dhe s’do të mësojë”, tha Rama.

Në një prononcim për ERTV, një banor i zonës shprehet se “më parë, tymi i plehrave që digjeshin shkonte deri te 21 Dhjetori, dhe tymi ishte aq i madh sa nuk hapnim dot dritaren, ndërsa tani çdo gjë po shkon drejt normalizimit. Tmerri mori fund”.

Ndërsa drejtori i kantierit, Elton Bualli theksoi se “aktualisht jemi duke ecur mbi fazën e parë të kapsulimit të landfillit të vjetër, të asaj që ka qenë një gropë ekologjike dhe një bombë ekologjike e Tiranës”.

“Aktualisht e gjithë kjo pjesë është mbyllur dhe është kthyer në një zonë të gjelbëruar ku është bërë gjithë pjesa e procedurës sipas standardeve të BE-së, ku janë përdorur të gjitha teknologjitë e nevojshme për të bërë një kapsulim të mirëfilltë të zonës së vjetër të mbetjeve. E njëjta gjë që është këtu që ka përfunduar dhe është kthyer në një zonë tërësisht të gjelbëruar. Një sipërfaqe prej 20 mijë m2 gjelbërim dhe 2400 pemë”, tha ai.