Rama pret përfaqësuesit e unioneve shqiptare muslimane në Europë: Bashkëpunim në funksion të Rindërtimit

11 Dhjetor 2019, 10:54

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues nga unionet e besimtarëve myslimanë të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë dhe të Italisë, të cilët së bashku kanë ndërmarrë një iniciativë solidarizimi për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Rama falënderoi shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi dhe pastaj në gjithë Europën, SHBA dhe përtej këtyre destinacioneve për solidarizimin me Shqipërinë. “Dita sot nis me një surprizë. Me liderët e përfaqësuesit e katër unioneve shqiptare të besimit musliman në Zvicër, Gjermani, Austri dhe Itali, të cilat kanë mbledhur një fond të konsiderueshëm solidariteti në xhamitë respektive dhe kanë ardhur në Shqipëri për të nisur bashkëpunimin konkret, në funksion të Rindërtimit. Sot më njohëm me përpjekjen dhe dëshirën e tyre të madhe për të kontribuar duke bashkuar të gjitha fondet e mbledhura në funksion të rindërtimit. I falënderoj për gjithçka kanë bërë dhe për ndjeshmërinë e tyre. Po ashtu më vjen shumë mirë që ky është momenti ku kemi mundësi të bashkëpunojmë më fort se sa para tërmetit. Kemi diskutuar edhe për disa fjalë të shenjta, si p.sh. që Zoti e dërgon tërmetin që t’u japë një mundësi njerëzve të pastrohen dhe pendohen, edhe pse pendesa nuk është karakteristikë kryesore e jona në tërësi. Por pa diskutim ky është një moment për të bashkuar forcat. Kam shumë besim se myslimanë e të krishterë i lexojnë fjalët e shenjta si pasuri të njerëzimit”, tha Rama.

Përfaqësuesit e unioneve të myslimanëve në Zvicër, Austri, Gjermani dhe Itali shprehën solidaritetin me popullin shqiptarë për kapërcimin e pasojave të tërmetit.

    No videos found.