Qeveria prej ditës së djeshme është zhvendosur në Durrës në një mbledhje dyditore. Kryeministri Edi Rama dje dhe sot ka shpalosur disa projekte për qytetin bregdetar, por jo vetëm. Në konferencën e sotme, shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se në Durrës do të fillojë ndërtimi i terminalit të parë për kroçierat, pasi ka një interes të madh. Gjithashtu Rama u shpreh se po studiohet mundësia jo vetëm për rindërtimin, por edhe zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa së shpejti do të fillojë ndërtimi i linjës hekurudhore që lidh Durrësin me Tiranën dhe Rinasin.
Rruga Tiranë- Durrës duhet rindërtuar dhe zgjeruar, studimi përfundon në korrik. Qëllimi është për të rritur kontaktin me Durrësin dhe rindërtimin e shfrytëzimin pa pagesë të rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa. Po ashtu standardizimi i rrugës Plepa-Kavajë-Rrogozhinë. Rrugë e re Kashar-Rrogozhinë do të shkurtojë ndjeshëm lidhjen me bregdetin e Jonit. Së shpejti do të fillojë ndërtimi i linjës hekurudhore që lidh Durrësin me Tiranën dhe Rinasin, që hap rrugën e një numri të caktuar ndërhyrjesh në infrastrukturës hekurudhore, duke fuqizuar portin e Durrësit për të ndikuar në ekonomi. Po diskutojmë sistemin e terminaleve të kroçierave, nuk kemi asnjë. Në Durrës do të ndërtohet terminali i parë i standardeve europiane.
Edi Rama
Një tjetër vendim i rëndësishëm që njoftoi Rama ishte për plehrat e qytetit të Durrësit që do të trajtohen në landfillin e Tiranës, ndërsa qeset plastike sipas tij duhet që të zhduken.
Ne kemi marrë një angazhim që ta mbyllim këtë zonën kanceroze të fushës së mbetjeve në Durrës. Ka qenë e tillë historikisht, por shumë larg vendeve të banuara, por sot Durrësi është zgjeruar. Aty është një skenë apokalipsi. Deri në vjeshtën e vitin të ardhshëm do të mbyllet për t’u kthyer në një park. Mbetjet e Durrësit do të trajtohen në impiantin e Tiranës. Ka edhe një element tjetër për qeset plastike, që duhet të zhduken nga qarkullimi.
Edi Rama