Rama pritet me ceremoni shtetërore në Itali nga kryeministri Conte

31 Tetor 2019, 13:15 | Përditesimi i fundit: 2019-10-31 16:53:34

Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën zyrtare në Romë, ku është pritur nga kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte. Pas ceremonisë së pritjes, ka nisur takimi kokë me kokë mes tyre.

Sipas axhendës, pas takimit Rama-Conte do të ketë një drekë pune me delegacionet përkatëse, si dhe një konferencë të përbashkët në 14:30.

Vizita e Kryeministri Edi Rama në Itali vjen në një kohë kur Këshilli Evropian vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Italia ishte një nga mbështetëset më të fuqishme të Shqipërisë dhe Maqedonisë, që të çelnin negociatat, e madje kryeministri Conte e ka cilësuar si një gabim historik vendimin e Këshillit të Evropës.

Kryeministri i Italisë, Conte e vizitoi Shqipërinë pak ditë para se të mblidhej Këshilli i Evropës, ku shprehu mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE. Vizita e fundit e kryeministrit Rama në Romë ishte në tetor 2017, ku Italia drejtohej nga kryeministri Paolo Gentiloni.

    No videos found.