Rama publikon numrin e ID së tij: Është si të marrin targën! Të votosh Kryemadhin, si të ngrihen Rilindasit nga varri

20 Prill 2021, 21:52 | Përditesimi: 20 Prill 2021, 21:55

ELBASAN- Takimi i radhës i kryeministrit Edi Rama ishte në Elbasan, ku ajo që ra në sy ishte prezenca e një numri shumë të madh mbështetësit që ishin mbledhur jo vetëm brenda stadiumit 'Elbasan Arena', por edhe jashtë saj, duke sfiduar edhe kapriçot e motit si edhe në respekt të masave anti COVID. "Atmosferë si në ndeshjet e kuqezinjve", e krahasoi kryeministri Edi Rama, kjo pasi sipas tij në 25 prill, nuk "luhet" për një parti, por për të gjithë Shqipërinë.

" E ndjej veten në atmosferën e një ndeshjeve të kuqezinjve, pjesë e një skuadre kombëtare që në 25 prill nuk do të shkojë te kutia e votimit, për një palë, por për çdo shqiptare", tha Rama.

Ai ka treguar dhe numrin e kartës së tij të ID, si një përgjigje për akuzat e shumta se patronazhistët po vjedhin të dhënat. Kreu i qeverisë i ktheu përgjigje edhe akuzave të Presidentit Meta për marrjen e të dhënave të tij personale nga mazhoranca socialiste, madje komentoi me ironi duke thënë se të dhënat "Likeq", siç ai e quajti "nuk i dihen as dreqit".  Kreu i ekzekutivit u bëri thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen për publikimin e numrit të kartave të identitetit, pasi ato aktualisht janë sikur të marrin ‘targën e makinës’.

"Kam marrë me vete kartën e identitetit. Dua t’ju lexoj numrin e identitetit atyre që janë shqetësuar nga kjo përpjekje e tërbuar për t’ju futur pasigurinë, për t’ju futur ankthin dhe për t’ju çoroditur sikur çfarë ka ndodhur. Mbajeni shënim kartën time të identitetit: Rama Edi; kombësia, shqiptare; Lindur në Tiranë; 04.07.1964 dhe numri i kartës sime G40704039G. Ja e morët dhe kartën time. Ç’e doni? Kujt i duhet ky numër? Çfarë do bëni me këtë numër?

E dëgjuat Liken? Më kanë marrë kartën tha. Më dinë numrin. O Like ne të dimë shumë gjëra ty se ai numër nuk i duhet dreqit. Prandaj mos u shqetësoni fare, askush të mos shqetësohet. Karta e identitetit e cila është trashëguar nga një kohë tjetër sot nuk është ende karta e ID-së që duhet të jetë sepse do të ishte problem nëse karta jonë e identitetit nuk do ishte thjesht dokument identifikimi, por do kishte brenda të dhëna personale, do kishte brenda sigurimet shoqërore, do kishte brenda kartat shëndetësore, do kishte brenda shumë informacione të tjera siç kanë kartat e identitetit në shumë vende dhe të gjitha vendet e Europës ku duam të integrohemi. Kjo është si me të marrë targën e makinës. Kjo është si me të marrë nuk e di, numrin 12”, tha Rama.

 

b.ha./Shqiptarja.com