Rama: Rindërtimi në Krujë dhe Bubq mbyllet në tetor! S'po bëjmë punë për fushatë, s'kemi fjetur asnjë ditë gjumë!

27 Mars 2021, 21:01

#reportTV #lajmeshqip #lajme KRUJË- Kryeministri Edi Rama është ndalur në Krujë për të prezantuar kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, ku listoi edhe disa nga objektivat e qeverisë për këtë qytet. Fokusi do të jetë tek turizmi. Me nota ironike Rama nuk kurseu krahasimin me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, të cilin e konsideroi si një person që nuk bën punë, po vetëm fle. Ai ka pasur edhe një përgjigje për të gjithë ata që e kritikojnë se po inauguron vepra publike vetëm për fushatë. Një gjë tillë, sipas Ramës nuk është e vërtetë pasi këto punë kanë nisur që në krye të herës. Për kreun e qeverisë programi i PD-së është si dardhë me bishtin mbrapa, që të vë lakun në fyt. Njëjtë e ka cilësuar edhe koalicionin opozitar, sipas së cilin nëse dikush i jep votën PD-së, do të marrë nga pas Ilir Metën, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu dhe aleatët e tjerë. Në fjalën e tij Rama bëri të ditur që rindërtimi në Krujë dhe Bubq mbyllet deri në tetor të këtij viti. Gjatë ditës kryeministri është ndalur edhe në Shijak, ku dorëzoi çelësat e shtëpive të rindërtuara për disa familje si dhe në Fushë-Krujë, ku inspektoi ujësjellësin e sapo ndërtuar që do garantoj uji 24 orë.