Familja Cara nga Thumana ishte ndër më të prekurat nga tërmeti tragjik që goditi vendin, pasi humbi gjashtë anëtarë. Gruaja, dy djemtë, vajza, e fejuara e djalit, nusja e xhaxhait dhe mbesa e saj sot u përcollën për në banesën e fundit, ndërsa i vetmi i mbijetuar i familjes Alberti u nis me avion nga Rinasi për mjekim të specializuar në Itali në gjendje të rëndë për jetën.
Kryeministri Rama ishte pranë të afërmve të familjes Cara, në tryezën e pasmortit sikur thotë ai. Vëllai i Albertit, Sulë Cara dhe të afërmit e tjerë tregojnë momentet e tmerrit dhe dhimbjen. "Një ndër urtësitë më të bukura të këtij populli është ajo fjala e artë, “hallin qe s’ma zgjidh të paktën ma qaj" thotë Rama.
Biseda e kryeministrit me vëllanë dhe të afërmit e familjes Cara
Edi Rama: Kjo është pafundësisht shumë për 100 vite kjo, qoftë me kaq.
Sulë Cara: Pasi nxora familjen nga shtëpia në Tiranë, vëllai i madh nuk u përgjigj dhe në orën 05:30 erdha këtu, ishte nën rrënoja. Kur erdha dëgjova britmat e para 'ndihmë, ndihmë', kur ra i dyti nuk patëm asnjë komunikim më.
Erjon Braçe: Kur ra i madhi në 07:05 mund të kishte më marrë më shumë pasi të gjithë ishin duke punuar. Unë ulërita kur filloi të dridhej, zbritën të gjithë punëtorët, ai i shkreti rrëshkiti e kapi dorën keq, u ngrit dhe erdhi Ai i 07:05 e bëri dëmin edhe më të madh, pasi po shembeshin ato ajo peshë i ka masakruar të gjithë.
Sulë Cara: Sa punonin një orë, binte tërmeti tjetër, nuk të linin lëkundjet, soleta ishte varur.
Edi Rama: Cfarë funerali me autokolonë të vdekurish, bombardim, e papërshkrueshme. Ai kur u përmend thoshte se kam pasur një për dore dhe dora ka filluar duke u ftohur dhe pas dy orësh i kanë nxjerrë. Alberti ka shtyllën kurrizore të dëmtuar, do Zoti të shpëtojë për vete...
Sulë Cara: Atë ditë ka pasur ditëlindjen e gocës....
I afërmi i familjes Cara: Alberti thoshte të lutem më thoni vetëm një fëmijë të ketë shpëtuar dhe jam në rregull. Shqiptari e ka pasur zakon, që ikën një apo dy, thoshte të rrosh me të tjerët, por ai nuk ka njeri tjetër u zhduk si familje.
Sulë Cara: Cfarë do të bëjmë me Bertin me fëmijët?! Do ta parapërgatisim por shumë vështirë. Më tha se fëmijët janë nën rrënoja.