Nga Saranda ku ka zhvilluar një takim me qytetarët bashkë me ekipin e 25 prillit, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish opozitën dhe presidentin Ilir Meta. Teksa tha se udhëheqësit e vërtetë të opozitës janë Ilir Meta dhe Sali Berisha, duke e cilësuar Lulzim Bashën si “kukull të kurdisur”, Rama akuzoi presidentin se hiqet si kandidat i PD në Vlorë dhe zhvillon betejë skutash, sipas tij duke u takuar edhe me subjekte të OFL. Ndalur te ngjarja më e fundit në Rinas, ku u pezulluan fluturimet për 24 orë për shkak se kontrollorët ndërprenë punën, sipas kryeministrit Rama, Meta dhe Berisha tentuan të merrnin peng aeroportin. Duke folur për programin e PS, Rama tha se “Shqipëria 2030” do ta kthejë vendin në kampion të turizmin në Ballkan. Ndërkaq Rama theksoi se janë duke punuar që të shkëputet zinxhiri i infektimeve në mënyrë që sezoni turistik të ketë me shumë të tepër prurje turisteve.Është kënaqësi e madhe të shijosh në këtë orë dhe temperaturë fantastike këtë hapësirë të re që po merr formën e vet përfundimtare duke i dhënë Sarandës një vlerë të re, duke i ofruar të gjithëve vizitorëve të saj mundësi të re, për të shijuar këtë bregdet, pa qenë të detyruar të shtyhen me njëri-tjetrin apo të përballen me një shëtitje që shoqërohet nga gropa edhe nga pengesa të shumta, siç ishin ato që e karakterizonin këtë hapësirë më parë. Nga ana tjetër, është kënaqësi të mendosh që kjo hapësirë do të vendoset në dispozicion të turistëve, ku ne jemi duke punuar çdo ditë, e natë me këmbëngulje të madhe të shkëpusim zinxhirin e infektimeve dhe kushteve të imponuara nga pandemia, sezoni turistik të jetë me shumë të tepër prurje turisteve dhe me të ardhura të atyre që jetojnë me turizëm. Ne sot ishim në disa nga pikat e tjera të kësaj zone, ku pamë nga afër ndryshimet që vazhdojnë, që nga uji 24 orë, pas 100 vjetësh në Delvinë ku po përfundon një investim cilësor dhe së shpejti familjet do të kenë në çezmë atë që i është premtuar në vite dhe vite të tëra, tek pjesa tjetër, në zonën e Finiqit, ku kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme, por edhe në zonën e Konispolit ku sot prodhohet më shumë se në kohën që cilësohej e artë e kooperativave, falë punës së tyre, por të mbështetur fuqimisht nga ne", tha Rama.
