Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Laç (e kërkoi Basha)

29 Nëntor 2019, 13:45 | Përditesimi i fundit: 2019-11-29 13:47:08

TIRANË - Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar të premten në orën 7.00 të mëngjesit, Kryeministri Edi Rama vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, përveç Tiranës e Durrësit, duke thënë se bie dakord me kërkesën dhe shqetësimin e kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Kjo do të thotë se edhe të prekurit në këtë qark do të kalojnë në planin e emergjencës për strehim dhe ndihmë financiare. "Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimeter. Në këtë rast na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program”, tha Rama teksa zgjodhi Blendi Çuçin si drejtuesin kryesor për qarkun Durrës  për punën pas fatkeqësisë së tërmetit dhe u shpreh se fjala e tij është urdhër për të tjerët.

Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë mëngjesin e sotëm në orën 07:00 për të bërë publik një bilanc paraprak të dëmeve nga tërmetet, por edhe për të folur rreth procesit të ndihmave që kanë dhënë shqiptarët anembanë botës me vlera monetare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri falenderoi ekipet shqiptare të grup shpëtimit, të cilat nuk ishin njohur më parë me përballimin e një fatkeqësie kaq të madhe natyrore sa ajo që Shqipëria kaloi, me dhjetëra të vdekur nga tërmeti, dhe tashmë këto skuadra do të pajisen me mjetet e nevojshme por edhe me programe trajnimi me të huajt.

“Është krijuar ideja se gjithçka nisi kur erdhën ekipet ndërkombëtare, por unë mund t’ju them me shumë krenari se përshtypjet për njerëzit tanë kanë qenë mbresëlënëse nga ana e skuadrave që erdhën. Kjo ishte eksperiencë e madhe për kërkim-shpëtimin dhe tani, njësinë tonë kemi mundësi ta ngremë 100 % në nivelin e të tjerëve në aspektin e pajisjeve, por edhe me programet e përbashkëta të trajnimit. Edhe për urgjencën mjekësore shqiptare kanë qenë fantastike, nuk e kishin menduar kurrë italianët se Shqipëria kishte këtë nivel urgjence”, tha kreu i qeverisë.

Kryeminsitri tha se ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. "Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha shefi i mazhorancës.