Në natën e Kadrit, kryeministri Edi Rama ka shtruar darkën e iftarit. Ajo që bie në sy është se përveç përfaqësuesve të besimtarëve muslimanë dhe të kabinetit qeveritar, janë edhe familjarët e tre dëshmorëve të kombit Klodjan Tanushi, Ibrahim Basha dhe Artan Cuku.
Në fjalën e tij në darkën e shtuar në ambientet e kryeministrisë, Rama i ka dërguar edhe një mesazh për kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, i cili prej muajsh ka lënë mandatet dhe proteston në rrugë. Duke cituar pjesë nga Kurani, kreu i qeverisë flet për betejën mes të mirës dhe të keqes, sipas së cilit gjithmonë është ajo e para që del e fituar.
Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Rama i drejtohet Bashës duke i thënë se duhet të vazhdojë të luftojë për atë kauzë që mendon se është e drejta, por nuk duhet t'i largohet shtegut të Zotit. Në një paralelizëm me atë që ka ndodhur në protestat e opozitës, kryeministri e mbyll fjalimin e tij duke thënë: Pushtete ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon humb pushtetin mbi vetveten.