TIRANË- Procesi i vaksinimit masiv të popullsisë kundër COVID, do të nisë shumë shpejt. Kreu i qeverisë, Edi Rama është kujdesur të theksojë se "është shumë afër"kjo ditë, por zgjodhi që të mos japë shumë detaje. Në konferencën e përjavshme, në fokus të së cilës ishte ekonomia, Rama pasqyroi 2 pika kryesore të programit elektoral të PS-së në mandatin e tretë. Së pari është rritja e pagës minimale si edhe dyfishimi i ndihmës ekonomike përtej pandemisë.
Një mesazh ka pasur për pronarët e bizneseve të mëdha, të cilën "i ftoi" që të mos votonin për PS-në. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, tha Rama, se taksat për ta nuk do të ulen, por theksoi e as nuk do të rriten.
Përtej ekonomisë, vaksinimi mori një vëmendje të madhe të konferencës, ku Rama solli si shembull Izraelin dhe Britaninë e Madhe, të cilët kanë vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë. Ndërsa këto vende po e shkëpusin zinxhirin e infektimeve, duke u kthyer drejt normalitetit, Rama premtoi një situatë favorizuese edhe për Shqipërinë. Ai tha se deri kur të nis sezoni turistik, procesi i vaksinimit do të ketë ecur me ritme të shpejta. Duke e quajtur veten "lypsi më i gjatë", kreu i qeverisë tha se ka pasur komunikime me shumë vende të botës për të siguruar doza, "aq sa njerëzit do të habiten kur të shohin listën e kontakteve".
Në ndryshim nga deklarata e tij të fundit, presidentit Ilir Meta i "kushtoi" vetëm pak sekonda. I pyetur nëse është duke zhvilluar një fushatë negative për Metën dhe LSI-në si një taktikë për të goditur opozitën, ai tha se nuk do që të humbasë kohë me këtë çështje.
"Nuk kam koment, nuk dua të humbas kohë me këto e lagu se lagu" - tha Rama.
