TIRANE - Rruzhdi Bërdica është një qytetar nga Shkodra që ka gjetur zgjidhje duke marrë pronësinë e një objekti pasi dërgoi shqetësimin e tij në platformën shqiperiaqeduam.al në kuadër të platformës se bashkëqeverisjes. Për të treguar kalvarin që kishte kaluar, tha një shembull të thjeshtë.
"Tek shtëpia që jetoj në Shkodër, në oborr, kam pasur një trung ahu ku unë ulesha. Kam vënë re se kalojnë shumë buburreca poshtë edhe dilnin. Për kuriozitet e përmbysa, vura re buburrecat kishin gërryer nga poshtë. Kështu që them sado i fortë të jetë trungu, nëse buburrecat nuk do të zhduken në një formë apo në një tjetër, ky trung do të mbetet përsëri i gërryer. Kështu që uroj që këto lloj buburrecat ose shushunjash të jenë sa më të pakta, edhe të mund të shtypen", tha Rruzhdi Bërdica.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në aktivitetin e përjashëm në kryeministri për platformën e bashkëqeverisjes, nuk la pa e kthyer këtë histori në kontekstin politik të kundërshtarëve të tij.
"Të jesh i sigurt që unë s'kam pasur nevojë të ulem në një stol për të parë se çfarë po më bëjnë buburrecat nga poshtë se rri në këmbë dhe i shoh buburrecat ulur që gërryejnë por megjithatë kjo kërkon durim të madh kërkon vullnet kohë dhe sigurisht sisteme. Dhe platforma është një nga ato sisteme që i mpin buburrecat dhe disa prej tyre edhe i shtyp. Unë e di që ju keni parasysh buburrecat e Hipotekës së Shkodrës kushedi ç'keni hequr me ta. Ne po vazhdojmë të luftojmë dhe kemi preferuar atë porosinë e Nënë Terezës, në vend se të mallkojmë errësirën të ndezim një qiri çdo ditë derisa të bëhet dritë", tha Rama.