Rama sjell historinë e infermieres së shëruar nga COVID: Falë mjekëve ia dola! E them me shpirt

29 Nëntor 2020, 18:02

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka sjellë këtë të diel një tjetër histori të një pacienteje të prekur me COVID. Bëhet fjalë për historinë e infermieres Pashkë Prendi.

Në rrëfimin e saj, Pashkja ka treguar se si ka përjetuar gjendje ankthi dhe stresi teksa ishte në spital te Infektivi, por gjendja e saj shëndetësore u normalizua falë një shërbimi mjekësor shumë të mirë, siç e tregon ajo.  

Më 23 mars, jam nisur me  urgjencë për të Infektivi. Kur jam paraqitur, kam gjetur si mjeke Esi Dukën, është heroinë për punën që më ka shërbyer të gjithë, si mua 50 vjeçe si gruan që e kisha në dhomë 80-vjeçe. Ditën e parë që kam arritur në Urgjencën e Tiranës ishe me parametrat e oksigjenit shumë-shumë poshtë normës. Të 9 ditë kam arritur që të normalizohem nga shërbimi që më është bërë aty. Janë mjek heronjë të punës, duke fillua nga Najada Como, një zemër gjerë, Esi Duka, Mira, mbiemrin nuk ia di vetëm i lexoja te kostumi, 3 herë në ditë më vizitonin, jo 1 herë, por 3. Kalova një gjendje ankthi, por nga shpirti dhe zemra e tyre unë e kalova. Me fjalët, punën e shërbimin. E them me shpirt, nuk e them për reklamë dhe i bëj thirrje të gjithëve , mos vono, Zoti lart e mjeku në tokë", shprehet infermierja.

Në fund, Pashka bën edhe një premtim.

"Ashtu si më shpëtoi doktoresha që më mori në patronazh, dua t'ju shërbej edhe unë pacientëve, me shumë dashuri, vullnet dhe shërbim mjekësor", mbyll rrëfimin e saj Pashkja.