Rama: S'na duhet një pakt i njëanshëm, nuk ka zgjerim të kufirit detar pa marrëveshje! Krenar që jam mik i Erdogan, ai s'ka ndërhyrë në këtë çështje

20 Shtator 2020, 10:00 | Përditesimi i fundit: 2020-09-20 12:43:47

Kryeministri Edi Rama ka folur për rinisjen e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit duke thënë se marrëveshjet mes dy vendeve nuk mund të bëhen më në mënyrë të njëanshme si në 2009. Gjatë një interviste për median greke MEGA TV, Rama tha se çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa një marrëveshje midis tyre. Kryeministri njoftoi se pas disa javësh ministri i Jashtëm grek do të jetë në Shqipëri për të diskutuar çështjen e kufirit detar dhe negociatat që pritet të nisin mes dy vendeve duke shpresuar që edhe kryeministri grek tha Rama të vijë në Shqipëri.

I pyetur për rrëzimin e marrëveshjes për detin së 2009 nga Gjykata Kushtetuese, kryeministri Rama tha se gjykata vendosi që marrëveshja ishte e dëmshme për interesat tona kombëtare.

"Që atëherë ne kemi hyrë në fazën e mosmarrëveshjeve, pastaj të dialogut", tha Rama.

Kryeministri ka folur edhe për marrëdhëniet e tij me presidentin turk Erdogan duke hedhur poshtë aludimet se Turqia ka ndërhyrë për prishjen e marrëveshjes së parë të detit në 2009.

"Jam krenar që jam mik i Erdoganit. Ai kurrë nuk u përpoq të më tregonte asgjë në lidhje me të. Ka qenë një çështje që nga viti 2009 që duhet të zgjidhet. Ne mund ta zgjidhim atë", tha Rama, ndërsa shtoi se tensionet mes Turqisë dhe Greqisë duhen zgjidhur me dialog dhe se dy vendet janë mjaftueshëm të pjekura për ta zgjidhur vetë çështjen dhe të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Gjatë intervistës Rama ka folur edhe për pakicat greke në Shqipëri, duke thënë se po punohet për një projektligj të ri për pakicat. Rama shtoi se "çështjet me të cilat përballet minoriteti grek në Shqipëri janë po aq të zakonshme sa çështjet me të cilat përballet i gjithë vendi. Ne trashëguam një rrëmujë me çështje pronësie."

    No videos found.