Rama: Sot dinjiteti i punonjësve të shëndetësisë është rivendosur, janë rritur pagat, kushte të pakrahasueshme me më parë

4 Mars 2021, 12:46 | Përditesimi i fundit: 2021-03-04 12:57:25

Për Kryeministrin Edi Rama sistemi shëndetësor në vend ka hasur në një zhvillim të jashtëzakonshëm këto vitet e fundit. Sipas tij me të gjitha investimet është rivendosur në vend dinjiteti për të gjithë punonjësit në shëndetësi me kushte të përmirësuara, paga të rritura dhe punësimin në baze merite.

"Ju meritoni respektin dhe mirënjohjen e çdo shqiptari dhe shqiptareje, që duhet ta ndajë mirë dhe prerë të gjithë heroizmin dhe sakrificën tuaj nga neveria legjitime për ato raste kur qenie të padenja mes jush e tradhtojnë misionin dhe e njollosin bluzën e bardhë. Duke bërë gjithçka kemi mundur ia kemi dalë t'ju bëjmë që ju të mos ndiheni veten. 3656 mjekë, infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar bonusin 1000 euro, 1212 staf mbështetës kanë përfituar bonusin 500 euro dhe këto do të vazhdojnë. Pagat i kemi rritur. Dinjiteti është rivendosur në vend duke i siguruar kushte të pakrahasueshme pune dhe punësim në bazë merite. Ishim ne që vendosëm për herë të parë skemën e mbështetjes financiare me një bonus prej 2500 dollarësh për çdo mjek që punon larg vendbanimit apo që kthehet nga jashtë. Dhe kemi pasur edhe nga të parët, edhe nga të dytët. Specializimet ishin mbyllur për 4 vite me radhë dhe ne sot kemi 1700 specializantë të rinj. Sot 1234 mjekë dhe 3500 infermierë janë punësuar përmes portalit për të garantuar pikërisht meritat. Kemi forcuar kapacitet spitalore dhe ne ia kemi dalë të mos ndeshemi në asnjë moment në kolaps serioz siç u ndeshen sisteme në vende shumë më të zhvilluara", tha Rama.