Rama takim me sipërmarrës të rinj në teknologji: Fond garancie 50 mln € për lehtësimin e financimit të aktiviteteve

11 Prill 2021, 12:11 | Përditesimi i fundit: 2021-04-11 12:12:11

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me sipërmarrës të rinj në teknologji, në qendrën “Tumo” në Tiranë. Në fjalën e tij para të rinjve, Rama tha se prioritet i qeverisë është të krijojë mundësi për përfshirje të më shumë njerëzve në këtë aktivitet, ndërsa shtoi në planin e veprimit të 2021-2025, është parashikuar një fond garancie prej 50 mln euro.

"Prioriteti ynë është që këtë botë ta hapim dhe ta bëjmë të dukshme për të tjerët që t'ju krijojmë mundësi për të përfshirë më shumë njerëz. 150 start up vetëm me atë fondin e vënë në dispozicion të sfidës së inovacionit nuk janë pak, sikundër nuk janë pak edhe përpjekjet e bëra nga disa prej jush për të shkuar përtej atij rrethit të aktivitetit të tyre. Ne kemi bërë një analizë që është e mundur që në planin tonë të veprimit 2021-2025 të vendosim një fond garancie sovrane për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë botë dhe dëgjova që kanë problem me institucionet financiare, një fond garancie prej 50 mln euro, që do lehtësojë financimet e aktiviteteve", tha Rama.

Ai shtoi po ashtu se do të ristrukturohet komunikimi i të rinjve që operojnë në këtë fushë me pikat e referimit të qeverisë, për të krijuar një strukturë të përbashkët me ndërveprim konstant.  

 "Në dijeninë time keni qenë në kontakt ët vazhdueshëm me ato pika referimi që ne kemi ndërtuar, por kjo duhet ristrukturuar ndërveprim konstant, për të krijuar një strukturë të përbashkët, që të funksionojmë në kohezion të plot ëme njëri-tjetrin", shtoi Rama.