BERLIN-Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Gjermani për të lobuar për hapjen e negociatave. Paraditen e sotme Rama është pritur nga kancelarja Angela Merkel. Kreu i qeverisë shqiptare ka dalë i kënaqur dhe optimist nga takimi rreth 50 minuta me Merkel duke e vlerësuar si mike të vërtetë. Ai thotë se ka mbetur shumë i inkurajuar nga predispozita pozitive.
"'Në Kancelarinë Federale për të kërkuar PO-në për Shqipërinë. Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel. Mike e vërtetë" shkruan Rama, teksa ka shpërndarë në faqen e tij në rrjetet sociale pamjet e pritjes dhe përfundimit të takimit me kancelaren gjermane. Përpos cështjes së negociatave, bisedimet u përqendruan edhe në marrëdhëniet bilaterale, por edhe çështjet rajonale. Në fund të shtatorit, Kancelarja Angela Merkel do të vendose për pranimin e negociatave të Shqipërisë.
Takimet ditën e sotme në Gjermani kryeministri Rama i nisi me një bashkëbisedim në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, që e vlerësoi si të hapur dhe pozitiv. "Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv" shkruan Rama.
Kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën Günter Krichbaum deklaroi se është shumë optimist se vendimi për Maqedoninë Veriore në tetor për cështjen e negociatave do të jetë pozitiv, ndërsa për Shqipërinë u shpreh se ende nuk është marrë një vendim në Bundestag, pasi janë duke u këshilluar.
E ndërsa sinjalet që vijnë nga Gjermania janë pozitive, të vetmet vende skeptike që ende nuk janë shprehur janë Franca dhe Holanda. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në mes të Tetorit.