Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Gjermani i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Gent Cakaj për të lobuar për hapjen e negociatave. Kreu i qeverisë shqiptare do të takojë sot kancelaren Angela Merkel, ndërsa vizitën e ka nisur me një bashkëbisedim në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut.
Kryeministri thotë se ndodhet në Bundestag për të kërkuar 'PO'-në, ndërsa bashkëbisedimi në Komitetin e Çështjeve Europiane i hapur dhe pozitiv. "Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv" shkruan Rama.
Ditën e sotme kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën Günter Krichbaum deklaroi se është shumë optimist se vendimi për Maqedoninë Veriore në tetor për cështjen e negociatave do të jetë pozitiv.
Përsa i përket Shqipërisë, parlamentari kristiandemokrat gjerman u shpreh se ende nuk është marrë një vendim në Bundestag, pasi janë duke u këshilluar. E ndërsa sinjalet që vijnë nga Gjermania janë pozitive, të vetmet vende skeptike që ende nuk janë shprehur janë Franca dhe Holanda.
Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në mes të Tetorit.