Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e policisë së shtetit, që sipas tij ka vendosur rend dhe garantuar siguri shumë më shumë se pesë vite më parë, ndërsa shtoi se ka edhe shumë për të bërë. Në fjalën e tij, Rama ka ironizuar edhe ish-deputetin e PD-së, Salianji që denoncoi dosjen Babale, por u mor i pandehur për kallëzim të rremë.
"Ishte një mundësi për të parë edhe njëherë panoramën e ndryshimit rrënjësor që ka nisur dhe vijon në policinë e shtetit dhe të sigurisë në vendin tonë. Sot Shqipëria është një vend shumë më i sigurt se pesë vite më parë edhe pse diskutohet rregullisht pa pushim në të gjitha klubet mediatike. Një mori episodesh me lajme pa lajm që ziejnë dhe arrijnë pikët e vlimit kur shfaqet Babalja dhe Nicja e Shijakut, apo shoku i tyre i pandashëm Ervin Salianji" tha ai.